Sistemi Kombëtar për Evidenca Elektronike në Shëndetësi
Rreth Terminit tim
Sistemi Kombëtar për Evidenca Elektronike në Shëndetësi – Moj Termin përfaqëson një hap revolucionar në digjitalizimin e kujdesit shëndetësor për më shumë se 10 vite. Ky sistem mundëson menaxhim efikas të të dhënave shëndetësore, reduktim të procedurave administrative dhe përmirësim të cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Përmes integrimit të kartelës elektronike shëndetësore, recetave dhe udhëzimeve, Moj Termin lidh të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, duke mundësuar komunikim të shpejtë dhe të saktë ndërmjet profesionistëve shëndetësorë dhe pacientëve.
Misioni ynë është të sigurojmë të dhëna të unifikuara dhe të besueshme, të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe në uljen e ngarkesës në institucionet shëndetësore. Moj Termin është projektuar për ta lehtësuar procesin e evidencës dhe regjistrimit të të dhënave të pacientëve, duke krijuar një kartelë elektronike shëndetësore që është e qasshme për të gjithë mjekët vetëm gjatë kontrollit mjekësor, ndërsa pacienti ka qasje vetëm në kartelën e vet elektronike shëndetësore përmes aplikacionit ose portalit Shëndeti Im.
Karakteristikat Kryesore
Sistemi Kombëtar për Evidenca Elektronike në Shëndetësi, Moj Termin, ofron zgjidhje inovative për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
Kartela Elektronike Shëndetësore
Mundëson qasje të autentifikuar në historinë mjekësore të pacientëve vetëm gjatë kontrollit mjekësor, duke rritur saktësinë dhe shpejtësinë e vendosjes së diagnozave.
Caktimi Elektronik i Termineve
Të gjitha terminet caktohen në mënyrë elektronike në çdo nivel të kujdesit shëndetësor, çka mundëson monitorimin e kohës së pritjes dhe uljen e ngarkesës në ambulanca.
Regjistra Digjitalë
Regjistrat shëndetësorë janë lista zyrtare institucionale që përmbajnë të dhëna për çështje të lidhura me shëndetin e popullsisë së një shteti të caktuar.
Receta dhe Udhëzime Elektronike
Mundësojnë komunikim efikas ndërmjet mjekëve dhe barnatoreve, duke zvogëluar rrezikun e gabimeve dhe të dyfishimit të recetave.
Komunikim i Integruar
Siguron shkëmbim të shpejtë dhe të sigurt të informacionit ndërmjet kujdesit shëndetësor primar, sekondar dhe terciar.
Përparësitë e Moj Termin
Sistemi digjital ofron përparësi të shumta si për pacientët, ashtu edhe për punonjësit shëndetësorë. Për pacientët, sistemi mundëson qasje më të lehtë në shërbimet shëndetësore, ulje të kohës së pritjes dhe koordinim më të mirë të kontrolleve mjekësore. Terminet për kontrolle caktohen në mënyrë elektronike nga mjeku dhe pacientët pajisen me receta elektronike, gjë që e lehtëson ndjeshëm procesin e marrjes së shërbimeve shëndetësore dhe të evidencës së tyre.
Për punonjësit shëndetësorë, sistemi siguron organizim dhe menaxhim më të mirë të pacientëve, çka rezulton në shërbime më cilësore. Ai mundëson shkëmbimin e informacionit ndërmjet institucioneve të ndryshme shëndetësore, duke ulur rrezikun e vendimeve profesionale të pasakta dhe duke përmirësuar komunikimin ndërmjet profesionistëve shëndetësorë. Ne punojmë vazhdimisht në përmirësimin e këtij procesi për ta bërë punën më të lehtë për të gjithë të përfshirët.
Me vendosjen e sistemit të e-shëndetësisë, institucionet shëndetësore mund të reduktojnë shpenzimet administrative dhe të fokusohen më shumë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore. Sistemi mundëson ndjekje të automatizuar të pacientëve dhe dosjeve të tyre shëndetësore, duke përmirësuar menaxhimin e të dhënave shëndetësore dhe duke rritur efikasitetin e shërbimeve.
Gjithashtu, sistemi i e-shëndetësisë kontribuon në mbrojtje më të mirë të të dhënave personale të pacientëve, duke siguruar menaxhim të sigurt të informacionit. Kjo rrit besimin e pacientëve në sistemin shëndetësor.