DREJTORIA PËR SHËNDETËSI ELEKTRONIKE

Drejtoria për Shëndetësi Elektronike është organ i administratës shtetërore në përbërje të Ministrisë së Shëndetësisë, me status të personit juridik, e cila kryen punë profesionale me rëndësi për zhvillimin dhe avancimin e sistemit të integruar informatik shëndetësor, si dhe për krijimin e koncepteve për zhvillimin e politikave shëndetësore në bazë të analizave të të dhënave të futura në sistemin kombëtar. Ajo është themeluar më 1 qershor 2015, si vazhdim i një departamenti ekzistues më parë në Ministrinë e Shëndetësisë. Drejtoria disponon me një staf prej 17 të punësuarish, të përbërë nga ekspertë të informatikës, ekonomistë, juristë dhe mjekë.

Imperativi i saj është implementimi i standardeve dhe protokolleve në përputhje me rregullativën ligjore, direktivat e Bashkimit Evropian, si dhe me standarde të tjera relevante ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, Drejtoria për Shëndetësi Elektronike është e përkushtuar ndaj rolit të saj si ndërmjetësuese ndërmjet institucioneve relevante ndërkombëtare dhe Ministrisë së Shëndetësisë, në organizimin e aktiviteteve edukative që kanë të bëjnë me përmirësimin e ligjeve dhe strategjive ekzistuese.

Që nga viti 2011, Programi Kombëtar për Sëmundjet Jo-ngjitëse miraton çdo vit një “Program të avancuar për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, duke vendosur bazat për programet e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës. Drejtoria për Shëndetësi Elektronike është e përfshirë në këto programe të skriningut, si dhe në bashkimin e të dhënave nga Regjistri i Neoplazmave Malinje.

Prioritetet afatshkurtra dhe afatmesme të Drejtorisë janë të përcaktuara në Strategjinë e saj të parë për zhvillimin e sistemit kombëtar të integruar informatik shëndetësor (2006) dhe tashmë janë duke u zbatuar.

Në bashkëpunim të mëtejmë me institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian, është duke u zhvilluar një strategji e re, e cila bazohet në Planin Strategjik të Ministrisë së Shëndetësisë (2016–2018) dhe në Vendimin e Qeverisë për përcaktimin e prioriteteve strategjike (2016). Strategjia e re parasheh përfshirjen e mëtejshme të sistemit elektronik shëndetësor në të gjitha nivelet e rrjetit shëndetësor si plan strategjik afatgjatë, me prioritet të veçantë lidhjen e sistemit të integruar informatik shëndetësor të Maqedonisë me sistemin për shkëmbim ndërkufitar të të dhënave në rrjetin evropian të shëndetësisë elektronike.

Struktura organizative dhe kompetencat e Drejtorisë janë të përcaktuara me Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore (Organogrami).

Kompetencat e Drejtorisë janë:

• Zgjerimi i sistemit të integruar informatik shëndetësor me funksionalitete të reja të nevojshme për institucionet shëndetësore që janë pjesë e rrjetit shëndetësor;

• Optimizimi dhe mirëmbajtja e moduleve programore dhe funksionaliteteve që janë pjesë e sistemit kombëtar për evidenca elektronike në shëndetësi;

• Zhvillimi dhe mirëmbajtja e web-shërbimeve për integrimin dhe shkëmbimin e të dhënave me organet e administratës shtetërore, si dhe me zgjidhjet softuerike që përdoren në institucionet shëndetësore;

• Propozimi i definimit të detyrave të punës, autorizimeve dhe obligimeve të punonjësve shëndetësorë dhe organeve drejtuese të institucioneve shëndetësore lidhur me funksionalitetet e sistemit informatik dhe listat e termineve;

• Propozimi për Ministrin e Shëndetësisë i koncepteve për zhvillimin e politikave shëndetësore në bazë të analizave të të dhënave nga sistemi informatik i integruar;

• Propozimi i standardeve për kohëzgjatjen minimale dhe maksimale të kontrollit specialistik-konsultativ sipas specialitetit;

• Propozimi i orareve të punës për personelin shëndetësor dhe planeve operative përmes përcaktimit të numrit optimal të kontrolleve ambulatore për mjek ose pajisje mjekësore, numrit të ambulancave për specialitete të caktuara dhe parametrave të tjerë për funksionim të pandërprerë të sistemit;

• Kontrolli i respektimit të standardeve dhe protokolleve nga institucionet shëndetësore lidhur me përdorimin e sistemit informatik dhe listave elektronike të termineve;

• Menaxhimi dhe avancimi i sistemit të integruar informatik shëndetësor;

• Përcaktimi dhe përditësimi i tabelave koduese për shkëmbimin e të dhënave ndërmjet bazës qendrore dhe softuerëve mjekësorë të përdorur në institucionet shëndetësore;

• Optimizimi i sistemeve ekzistuese të evidencës elektronike dhe integrimi i tyre në një sistem të vetëm bashkëpunues që përfshin të gjitha institucionet kompetente;

• Trajnimi i punonjësve shëndetësorë dhe bashkëpunëtorëve për përdorimin e sistemit informatik dhe të gjitha funksionaliteteve të tij;

• Certifikimi dhe miratimi për përdorimin dhe shitjen e zgjidhjeve softuerike që përdoren në institucionet shëndetësore;

• Hartimi i analizave dhe raporteve për Ministrinë e Shëndetësisë, Agjencinë për Barna, Qeverinë, Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Institutin e Shëndetit Publik, Agjencinë për Akreditim të Institucioneve Shëndetësore, Fondin për Sigurim Shëndetësor dhe institucione të tjera relevante;

• Menaxhimi i qendrës së komunikimit për mbështetje teknike për të gjithë përdoruesit e sistemit të integruar informatik shëndetësor;

• Krijimi dhe mirëmbajtja e bazës së të dhënave të sistemit të integruar informatik shëndetësor.