
Fikret Shabani është doktorant në programin studimor për Sisteme Informacioni dhe Menaxhim në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ku gjithashtu ka përfunduar studimet master në fushën e zhvillimit të softuerëve dhe aplikacioneve. Hulumtimi i tij i masterit është i fokusuar në krijimin e zgjidhjeve digjitale për transparencë dhe llogaridhënie në kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm në Maqedoninë e Veriut.
E gjithë karriera e tij profesionale është e lidhur me Universitetin e Evropës Juglindore, ku që nga viti 2005 ka ushtruar disa funksione me përgjegjësi të lartë. Që nga viti 2018 është Drejtor i Departamentit për Kapacitete Teknike dhe Mirëmbajtje, me fokus në menaxhimin e sistemeve energjetike dhe infrastrukturore, digjitalizimin e proceseve dhe zhvillimin e zgjidhjeve të brendshme teknologjike. Më herët, si Udhëheqës i Zyrës për Planifikim Akademik (2010–2018), ka koordinuar oraret akademike, ka menaxhuar baza të të dhënave dhe ka zhvilluar sisteme për analizë dhe raportim. Nga viti 2008 deri në vitin 2016 ka qenë anëtar i Senatit të Universitetit dhe pjesë e disa komisioneve për prokurime dhe investime kapitale.
Në periudhën 2021–2024 është zgjedhur anëtar i Këshillit të Komunës së Bogovinës, ku ka marrë pjesë aktive në proceset e zhvillimit lokal. Në kuadër të projekteve me interes publik, ai ka marrë pjesë edhe në studime fizibiliteti për digjitalizimin e matjes së ujit, si dhe në projektin e Qendrës për Zhvillimin e Rajonit Planor të Pollogut (QZRPP) për planifikim strategjik, hulumtim dhe përgatitje të paketave të projekteve për zhvillim rajonal.
Një fokus i veçantë në punën e tij përfaqëson edhe zhvillimi i mjeteve të IT-së për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, përmes aplikimit të zgjidhjeve moderne teknologjike për praktikuesit dhe institucionet e shëndetit publik.
Nga viti 2011 deri në vitin 2015 ka qenë bashkëthemelues dhe pronar i një kompanie private aktive në fushën e konsulencës IT, zhvillimit të softuerëve dhe edukimit.
Ai posedon ekspertizë në fushën e inxhinierisë softuerike, me përvojë në përdorimin e gjuhëve të ndryshme programuese, bazave të të dhënave, teknologjive web dhe mobile, si dhe sistemeve për transformim digjital dhe automatizim. Flet rrjedhshëm shqip (gjuhë amtare), maqedonisht dhe anglisht.